24/08/2026
Dunavati – kujtesë, histori dhe tradita të një lagjeje të Gjirokastrës
Lagjja Dunavat është ndër lagjet më të larta të qytetit të Gjirokastrës. Ajo ka qenë e para edhe në luftën për mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë. Për këtë arsye, Dunavati mbart një pasuri të veçantë vlerash historike, arsimore, morale dhe qytetare. Në vitin 1905 u hap aty shkolla e parë shqipe, nga mësuesi Mesut Çami.
Në terren, Dunavati shtrihet mbi dy kurrize me pjerrësi jo të madhe, të ndara nga Përroi i Gjonit. Shtëpitë, nga poshtë lart, ngjiten njëra pas tjetrës dhe, në ballë, shfaqen shtëpitë e Resajve e të Brajave. Nga larg, ato duken sikur qëndrojnë mbi ajër, edhe pse janë të mbështetura mbi shkëmbinj të thepisur. Aq pranë tyre je, sa ndonjëherë të merret mendja vetëm duke i parë.
Banori i hershëm Kasëm Kaçi i ka kënduar me keto vargje Dunavatit:
Që nga Urat e përpjetë
Fillon Dunavati vetë
Dunavati o lule mali
I ndërtuar mbi shkëmbenj
E gurë stralli.
1.Dy Dunavatet
Dunavati njihet prej kohësh si i ndarë në dy pjesë: Dunavati i Parë dhe Dunavati i Dytë. Nuk ka ndonjë shenjë barazimi për sa i përket pamjes, por as për traditat e zakonet nuk mund të thuhet se kanë qenë krejt njësoj.
Në pjesën e poshtme, shtëpitë karakteristike janë më të mëdha dhe më të dukshme, ndërsa në pjesën e sipërme janë më të vogla, me sokakë të përdredhur dhe me gjelbërim gjatë të katër stinëve.
Brenda dhe jashtë këtyre shtëpive ka rrjedhur jeta e banorëve të të dy Dunavateve, me tradita e zakone pothuajse të përbashkëta, ndonëse me ndonjë ndryshim të vogël në karakter dhe në sjellje. Banorët e pjesës së poshtme ishin më të përmbajtur, ndërsa ata të pjesës së sipërme pak më “ager”, të lidhur më shumë me malin, me nxjerrjen e gurëve për mure e pllaka çatie, me transportin e mallrave me kafshë, me kullotat në Malin e Gjerë dhe me blegtorinë.
Nga ato që kanë lënë e kanë thënë të parët, burrat e vjetër, por edhe nga librat, le të kujtojmë disa histori, kronika, episode dhe zakone të tyre, një pjesë e të cilave është trashëguar edhe në përditshmërinë e sotme.
2.Burra të fortë në dituri dhe në pushkë
Dy Dunavatet kanë pasur burra të fortë, si në dituri, ashtu edhe në pushkë. Këtë e kanë treguar ndër vite, sa herë që dikush u ka rënë në qafë. Lagjet e tyre i kanë mbrojtur në çdo kohë dhe, sipas kujtesës së banorëve, këmba e armikut nuk ka shkelur në to.
Për mënyrën e jetesës mund të thuhet se kanë kaluar edhe varfëri, por bukë e qumësht kanë pasur. Në përgjithësi kanë shkuar mirë me njëri-tjetrin. Grindjet e vogla nuk kanë munguar, por pleqësia, sidomos në kohën e mbretërimit të Zogut, ndërhynte dhe shpesh zgjidhja arrihej në mënyrë paqësore.
3.Veshjet e dunavatasve
Në kohët e hershme, për shkak të terrenit dhe të motit, dunavatasit visheshin rëndë. Kur binte borë në Gjirokastër, ajo shtrihej më parë mbi shtëpitë e Dunavatit. Njerëzit poshtë, në Pazar e gjetkë, thoshin:
“Zbardhi në Dunavat!”
“Ja dhe Keculla u zbardh!”
“Tani prite në Pazar!”
Burrat mbanin poture të leshta, brez të bardhë ose me ngjyrë të errët, tirqe leshi në këmbë, xhamadan dhe xhaketë leshi. Në kokë mbanin qylafin, të bardhë, me një bisht të vogël sipër.
Kjo ishte veshja e përditshme. Në festa përdornin fustanellën, jelekun e qëndisur dhe brezin.
Edhe gratë kishin veshje të veçanta. Për një kohë të gjatë mbanin çitjanet dhe ishin të mbuluara. Më vonë, sidomos pas viteve 1920, veshja tradicionale filloi të ndryshonte, në kuadër të ndryshimeve shoqërore e ligjore të kohës.
4.Këngët, dasmat dhe zakonet
Në Dunavat është ruajtur atmosfera folklorike dhe etnografike e traditës, përfshirë këngët, mitet, fejesat dhe dasmat.
Në festa dhe në darkat familjare, sidomos në fejesa e dasma, gratë vishnin kostume karakteristike. Me kalimin e kohës kultura e veshjes ndryshoi dhe mënyra e re e veshjes u përhap edhe në lagjet e tjera, veçanërisht pas vitit 1944, kur hapat e emancipimit të gruas u përshpejtuan dhe ajo u përfshi gjithnjë e më shumë në jetën e punës.
Në Dunavat dasmat organizoheshin sipas traditës. Ato mund të zgjatnin një javë, me tryeza të shtruara, këngë, valle dhe respektimin e riteve. Ditë të veçanta, si ajo e dhëndrit, e kenas dhe e brumit, krijonin një atmosferë të ngrohtë e miqësore.
Dunavatasit e dikurshëm, por edhe pasardhësit e tyre, e kanë dashur shumë rakinë. Shumica e familjeve e prodhonin vetë dhe në dasma ajo shoqërohej me meze, këngë e valle.
Në gëzimet e dasmës kishte edhe lojëra popullore. Njëra prej tyre ishte “hidh e prit”, ku dikush që e tepronte me pijen përfundonte në katoqin me kashtë, derisa t’i kalonte dehja. Ky zakon nuk ka qenë vetëm i Dunavatit, por njihej edhe në vende të tjera përreth Gjirokastrës.
5.Jeta dhe ushqimet
Jeta në Dunavat, si në kohët e hershme, ashtu edhe gjatë socializmit, nuk ka qenë e keqe. Banorët kanë punuar dhe luftuar për një jetë më të mirë.
Dunavatasit kanë qenë edhe të pabindur ndaj disa rregullave e ligjeve që i konsideronin të padrejta. Një shembull lidhet me mbajtjen e bagëtive. Ata mbanin bagëti në shtëpi edhe atëherë kur të tjerëve nuk ua mbante. Kështu siguronin vetë mishin dhe qumështin, në një kohë kur të tjerët duhej të zinin radhë në dyqan.
Banesat, të mëdha apo të vogla, kishin secila furrën e vet, ku piqej buka e ditës. Përgatiteshin edhe ushqime me petë, byrekë me lakra e me qumësht. Një gatim karakteristik ishte kulaci në hi.
Përdorej si gruri, ashtu edhe misri. Në dimër të preferuara ishin misrat e zier në bragac. Rreth e rrotull dy Dunavateve rritej bizhgo, e cila qërohej dhe përgatitej birjan me qepë.
Në mëngjeset e dimrit, si dikur e ndoshta edhe sot, përdorej trahanaja e bërë në shtëpi. Gratë dunavatase e përgatisnin vetë, sipas një tradite të trashëguar brez pas brezi.
Fasulja ka qenë një nga bazat e ushqimit, sidomos në dimër, por edhe në muajt e tjerë. Mishi përdorej gjithashtu, kryesisht mishi i imët. Mishi i lopës dhe i vicit hyri më vonë si pjesë e zakonshme e gjellëve, ndërsa mishi i derrit përdorej më pak.
6.Rojet e Pazarit
Në kohën e Zogut, dunavatasit dalloheshin edhe si nëpunës korrektë, që njihnin dhe zbatonin ligjet e bashkisë.
Edhe sot në bisedat e banorëve përmenden dy prej tyre: Murat Gaba dhe Bido Poshi. Këta ishin roje të Pazarit.
Tregohet se gjatë ditës flinin, në mënyrë që natën të ishin në këmbë e në gatishmëri për mbrojtjen e Pazarit nga keqbërësit. Punën e bënin në mënyrë shembullore.
Edhe në veshje dalloheshin nga të tjerët. Këpucët i mbanin me proka, që kërcisnin, sikur të lajmëronin:“Jemi këtu!”
Sipas situatës, përdornin edhe këpucë me gomë, në mënyrë që të mos dëgjoheshin hapat kur ndonjë hije e dyshimtë shfaqej pranë ndonjë dyqani.
Disa nga shprehjet e tyre kanë mbetur edhe sot në gojën e pasardhësve:
“Provoni të vini dorë mbi dyqanet, po do ta shihni!”
“Kokën në trastë e keni!”
“Gati janë shtatë penxheret!”
7.“Doktorët” pa diploma
Dy Dunavatet kanë pasur edhe doktorët e tyre pa diploma. Ata quheshin xherahë dhe merreshin me rregullimin e kockave të thyera, si te njerëzit, ashtu edhe te bagëtitë.
Thuhet se mjeshtër për të “zënë” kockat ishte Isan Kaçi, i cili kishte edhe shokë të tjerë në këtë zanat. Kush thyente këmbën, ai ia vinte në vend dhe ia lidhte.
Përmendet edhe një grua e moshuar, teto Kocia, që merrej me lidhjen e kockave.
Në atë kohë lagjja nuk kishte infermieri dhe as mbështetje të posaçme për gratë që lindnin. Në ndihmë u vinte një grua e mirë, “mamia e lagjes”, teto Hazbo Demo.
8.Gjuetia – pika e dobët e dunavatasve
Një nga pasionet e mëdha të dunavatasve ka qenë gjuetia. Pothuajse çdo shtëpi kishte pushkë gjahu dhe burrat dilnin për gjah në Malin e Gjerë e në vende të tjera, duke gjuajtur thëllëza e lepuj.
Në historinë e gjuetisë gjirokastrite kanë hyrë me hapa të sigurt dhe me duar plot Kapo Kaçi dhe dy vëllezërit Shaban dhe Beqo Mera. Ata kanë qenë mjeshtër të gjuetisë, veçanërisht për thëllëzat dhe lepujt.
Mbanin edhe zagarë të mirë. Qentë njihnin emrat e tyre dhe, me veshët ngritur, dëgjonin fjalët e urdhrat e të zotëve, si për shembull:
“Kape!”
Këta dhe gjahtarë të tjerë kanë qenë gjithashtu të mirë në këngë, në rolet e marrësit dhe kthyesit, edhe pse jo gjithmonë në rreshtin e Isove.
9.Emrat që mbeten në kujtesë
Dunavati nuk është vetëm gur, shkëmb, sokak e shtëpi. Ai është mbi të gjitha njerëzit që kanë jetuar aty dhe kujtesa që ata kanë lënë pas.
Përkrah emrave të përmendur më sipër, në kujtesën e pasardhësve dëgjohen edhe emrat e Imer Merës, Faik Demos, Kasem Kaso Kaçit, Ziver Kopecit, Nesip Katapuqit dhe të shumë të tjerëve.
Sot, ndoshta, pasardhësit e tyre duan më shumë fotografitë, shëtitjet në natyrë dhe kafetë në Kecullë. Por kujtimet për të parët mbeten.
Dunavati është një lagje që ka ruajtur brenda mureve të saj shumëçka nga historia dhe jeta e Gjirokastrës: luftën, punën, varfërinë, mikpritjen, këngën, vallen, dasmat, ushqimet, veshjet, besën, humorin dhe karakterin e njerëzve të saj.
Prandaj, kur flasim për Dunavatin, nuk flasim thjesht për një pjesë të qytetit. Flasim për një kujtesë të gjallë të Gjirokastrës, që meriton të ruhet e t'u përcillet brezave.
Dhe këtu po e mbyllim këtë shkrim për Dunavatin.
Pa qejfmbetje, sepse kujtimet për këtë lagje nuk mbarojnë këtu.
Përsëri do të takohemi./AL/