03/10/2026
- REAGIM –
TË NDALOJMË HEDHJEN E MBETURINAVE NË HYRJE TË FSHATIT BURIM (IZVOR)
Në hyrje të fshatit Burim (Izvor), në territorin e fshatit Allashec, pikërisht në udhëkryqin e rrugëve Sllupçan–Burim (Izvor) dhe Orizare–Burim (Izvor), vazhdon të hidhen mbeturina në mënyrë të papërgjegjshme.
Kjo nuk është vetëm një çështje e pastërtisë së fshatit. Bëhet fjalë për një rrugë të rëndësishme që lidh këtë zonë edhe me Gjilanin dhe nëpër të cilën qarkullojnë çdo ditë automjete nga të dyja anët. Pamja e mbeturinave në këtë pjesë është e turpshme dhe krijon një imazh shumë të keq për të gjithë zonën dhe për çdo udhëtar që kalon këtu.
Në emër të Këshillit të fshatit Burim (Izvor) dhe Shoqatës “Burimi i Karadakut”, kërkojmë nga Komuna e Likovës dhe organet kompetente që të marrin masa konkrete:
Të pastrohet menjëherë kjo hapësirë;
Të vendosen tabela të qarta “NDALOHET HEDHJA E MBETURINAVE”;
Të vijëzohet dhe të rregullohet hapësira përkatëse;
Të shtohet mbikëqyrja në këtë lokacion;
Dhe ndaj personave që hedhin mbeturina të merren masa ndëshkuese sipas ligjit.
Kjo hapësirë është hyrje e fshatit dhe pjesë e një rruge që frekuentohet çdo ditë. Nuk mund të lejojmë që hyrja e vendbanimit tonë dhe një rrugë kaq e frekuentuar të shndërrohet në deponi.
Kërkojmë reagim dhe veprim konkret nga institucionet kompetente.
Pastërtia dhe kujdesi për mjedisin janë përgjegjësi e të gjithëve, por zbatimi i rregullave dhe ndëshkimi i shkelësve është përgjegjësi e institucioneve.
Këshilli i fshatit Burim (Izvor)
Shoqata “Burimi i Karadakut”