07/06/2026
65 Vite Kujtime, dije dhe Histori të Shkollës Sonë,”Konstdandin Kristoforidhi”Nerodime e epërme.
Një kujtim i hershëm i fëmijërisë, si nxënës i kësaj shkolle rrëzë bjeshkëve të Sharrit, zgjon patjetër nostalgji të veçantë për bankat shkollore, shokët e shoqet, si dhe për arsimtarët e drejtorët e përkushtuar që ndërtuan themelet e dijes për breza të tërë.
Që nga hapja e paraleles së parë në gjuhën shqipe në vitin 1961, kjo vatër e arsimit u shndërrua në një qendër të rëndësishme të edukimit dhe formimit të kuadrove në nivele të ndryshme. Në të u krijua një frymë e jashtëzakonshme bashkëpunimi ndërmjet mësimdhënësve, drejtorisë dhe prindërve, të bashkuar nga një qëllim i përbashkët: edukimi, kultura, etika dhe ngritja intelektuale e gjeneratave të reja.
Për 65 vjet me radhë, kjo shkollë ka qenë një derë e hapur e dijes për mijëra nxënës. Edhe para vitit 1961, arsimi shqip funksiononte në Jezerc, duke dëshmuar përkushtimin e pandërprerë të banorëve të kësaj treve ndaj arsimit dhe dijes.
Kjo godinë, e quajtur thjesht “shkollë”, në të vërtetë ishte një enciklopedi më vete për ngritjen arsimore të Grykës së Nerodimes. Në kuadër të saj funksiononin edhe paralelet e ndara në Manastirc, Balaj dhe Dremjak, ku mblidheshin “lulet e dijes” dhe përcilleshin gjenerata të tëra drejt studimeve universitare e pasuniversitare.
Unë pata fatin të jem nxënës i kësaj shkolle për tetë vite, nga viti 1964 deri në vitin 1972. Ishin vite të mbushura me emocione të veçanta, me mësime, aktivitete sportive, shoqëri të sinqertë dhe me arsimtarë e drejtorë të respektuar, të cilët na edukuan dhe na pajisën me njohuri të qëndrueshme shkencore. Ata na ndërtuan një bazament të fortë për të vazhduar rrugën e dijes në shkolla të mesme, universitete dhe studime pasuniversitare.
Gjatë studimeve në Degën e Historisë në Prishtinë në fillim si i rregullt , e pastaj me korespodencë pata privilegjin të punoj në këtë shkollë si mësimdhënës, pikërisht në vendin ku kisha kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës sime si nxënës. Për mua ishte një ndjenjë e veçantë dhe një përgjegjësi e madhe të punoja me nxënësit e kësaj shkolle, në një kohë kur arsimi në Kosovë po përjetonte një zhvillim të rëndësishëm.
Në vitet e punës sime, me gjithë energjinë dhe dijen që zotëroja, përpiqesha t’u transmetoja nxënësve jo vetëm njohuritë e plan-programit, por edhe dashurinë për historinë tonë kombëtare, shpeshherë duke shkuar përtej kufijve të teksteve shkollore.
Vitet 1981–1982 shënuan një periudhë të rëndësishme ndryshimesh politike dhe shoqërore. Demonstratat studentore të nisura në Universitetin e Prishtinës u shndërruan në një lëvizje të gjerë popullore për barazi dhe të drejta më të mëdha për Kosovën. Në ato zhvillime ishte e përfshirë emocionalisht e gjithë shoqëria jonë.
Pas demonstratave filloi një fushatë e ashpër e diferencimeve ideopolitike në arsim. E kujtoj shumë mirë se në shkollën tonë fillimisht u largua drejtori, z. Gani Rekaj, pa e përfunduar mandatin, vetëm pse kishte qëndrime të ndryshme nga pushteti i asaj kohe lidhur me demonstruesit. Të njëjtin fat e përjetova edhe unë, kur në vitin 1982 u përjashtova nga procesi edukativo-arsimor me vendim të organeve komunale të kohës.Dhe për fatin e keq në shumë shkolla u vendosën drejtori të dhunëshme.
Të njejtin fat e pat edhe shkolla e jonë.
Pas vitit 1982, në shumë institucione arsimore të Kosovës u instaluan struktura drejtuese të imponuara, ndërsa programet mësimore pësuan ndryshime të konsiderueshme, sidomos në lëndët e gjuhës shqipe dhe historisë. Sipas të dhënave të asaj kohe, deri në vitet 1981–1990, në Kosovë ishin diferencuar mbi 148 mësimdhënës, ndër ta edhe akademiku i shquar Ali Hadri.
E përmenda këtë pjesë të historisë sepse edhe shkolla jonë përjetoi sfida të mëdha. Mësimdhënësit dhe nxënësit e saj u përballën me diskriminim, presione, burgosje, izolime dhe maltretime. Megjithatë, ata ruajtën dinjitetin dhe qëndresën e tyre. Shumë prej tyre kontribuan më vonë edhe në luftën çlirimtare të UÇK-së në Zonën e Nerodimes, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Prandaj, historia e kësaj shkolle nuk është vetëm histori arsimi. Është histori e dijes, e sakrificës, e atdhedashurisë dhe e qëndresës. Nxënësit, arsimtarët, profesorët dhe drejtorët e saj kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në çdo periudhë kohore, duke kontribuar me dinjitet për të ardhmen e vendit tonë.
Sot, kur po shënojmë 65 vjetorin e saj, kujtimet bëhen edhe më të fuqishme. Për ne që kemi qenë nxënës dhe mësimdhënës në këtë institucion, kjo shkollë nuk është thjesht një ndërtesë. Ajo është pjesë e jetës sonë, e formimit tonë dhe e identitetit tonë.
Prandaj, do të ishte me shumë vlerë që në të ardhmen e afërt të përgatitet dhe të botohet një monografi e shkollës sonë “Konstandin Kristoforidhi”, si një kujtesë kolektive për të gjitha gjeneratat që kanë kaluar nëpër këtë vatër të dijes.
Me respekt dhe mall,
Shabi B Rekaj
Ish,nxënës dhe profesor i Shkollës “Konstandin Kristoforidhi”Nerodime e epërme.