07/11/2022
Sahat Kulla, një monument i vjetër i trashëgimisë kulturore, gjendet në bërthamën e zonës kulturore-historike të Prishtinës, është ndërtesë me vlera kulturore, historike dhe arkitekturore e ndërtuar në shekullin XIX.
Ky monument historik, i ka mbijetuar kohës ndër shekuj, ndryshimi është se Kulla origjinale ishte e ndërtuar nga tullat, version i ri është i suvatuar dhe i ngjyrosur me të bardhë.
Sahat Kulla gjendet në pjesën qendrore të pjesës së vjetër të Prishtinës, në afërsi të Xhamisë së Mbretit.
Është një ndër monumentet më të rëndësishme të arkitekturës utilitare në Prishtinë.
Në këtë sahat kullë gjendej kambana e vjetër të cilën turqit gjatë luftërave të tyre në Moldavi dhe Vllahi e morën si plaçkë lufte dhe si të tillë e sollën në Vushtrri dhe e vendosën në sahat kullë. Sipas urdhrit të Jashar Pashës, kambana është sjellë nga Vushtrria në Prishtinë.
Sahat Kulla, është ndërtesë me bazë gjashtëkëndëshe dhe lartësia e saj është 26 m, e murosur me gurë deri në lartësinë 16.5m dhe me tulla të plota në pjesën tjetër të ndërtesës.
Konstruksioni i kulmit është prej druri të mbuluar me plumb. Në të gjitha fasadat e sahat kullës ka hapje të vogla harkore.