14/07/2026
Sot kujtojmë presor Bimin❤️
Ibrahim Haçkaj i përkiste atij brezi të rrallë shqiptarësh që kombinuan kulturën, profesionalizmin, patriotizmin dhe humanizmin në një jetë të vetme. Ai ishte mjek veteriner i njohur, ekonomist i aftë, ekspert zhvillimi, punonjës i Bankës Botërore, alpinist i shquar, autor, mentor dhe mbi të gjitha një njeri i jashtëzakonshëm.
Karriera e tij pasuniversitare filloi në fushën e mjekësië veterinare, ku fitoi respekt profesional për dijen dhe përkushtimin e tij. Më pas ai u specializua edhe në ekonomi dhe u bë pjesë e proceseve të rëndësishme të zhvillimit të Shqipërisë në vitet e tranzicionit. Ai ishte shqiptari i parë që filloi punë me Bankën Botërore në Shqipëri, me kontribute historike në ekonominë Shqiptare, duke vijuar më pas aktivitetin e tij profesional në Kosovë dhe në projekte strategjike ndërkombëtare, përfshirë edhe Trans Adriatic Pipeline (TAP).
Një prej karakteristikave që e dallonte ishte kultura e tij e gjerë. Ibrahim Haçkaj zotëronte rusishten, italishten, frëngjishten, anglishten dhe shqipen, aftësi që i mundësuan të punonte me lehtësi në mjedise ndërkombëtare dhe të ndërtonte ura bashkëpunimi mes njerëzve, institucioneve dhe kulturave të ndryshme.
Megjithatë, për shumë shqiptarë emri i tij lidhet mbi të gjitha me malet. Si themelues dhe frymëzues i Shoqatës Dajti Alpino-Turistike, ai nuk ndërtoi vetëm një organizatë sportive. Ai krijoi një shkollë karakteri dhe një komunitet që formoi breza të tërë alpinistësh, eksploruesish dhe dashamirësish të natyrës. Ai i injektoi në gjak mijëra të rinjve Shqiptarë, dashurinë për natyrën dhe vendin.
Ai pushtoi shumë nga majat më të larta të Shqipërisë dhe botës, e në fakt ishte nismëtar i nismës "7 maja në 7 kontinente" dhe ishte vetë pjestar në shumë nga këto ngjitje (Mont Blanc, Kilimanjaro, Aconcagua, Kampi baze Everest etj). Ata që e njohën e kujtojnë jo vetëm për ngjitjet e tij, por për fisnikërinë, bujarinë dhe ndershmërinë e rrallë. Ishte njeriu që ndante gjithçka kishte me të tjerët, që nuk përfitonte kurrë nga pozicioni i tij dhe që vendoste interesin e përbashkët mbi interesin personal.
Ibrahim Haçkaj ishte një njeri që nuk pranonte kompromis me parimet. Ai mbronte natyrën, drejtësinë dhe etikën me të njëjtin pasion me të cilin ngjitej në male. Për këtë arsye ai gëzonte respekt jo vetëm në komunitetin e alpinizmit, por edhe në qarqet profesionale, akademike dhe shoqërore brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Arritja e tij më e madhe nuk ishte një post, një titull apo një rekord sportiv, por ishte formimi i njerëzve. Ai la pas një brez të tërë që mësuan prej tij respektin për natyrën, dashurinë për Shqipërinë, disiplinën, integritetin dhe solidaritetin.
Sot, Ibrahim Haçkaj kujtohet si një baba e bashkëshort i mrekullueshëm, njëprofesionist i shquar, një qytetar model, një patriot i qetë por veprues, një alpinist i jashtëzakonshëm dhe një njeri që e jetoi jetën me dinjitet dhe përkushtim ndaj të tjerëve.
Disa njerëz pushtojnë male. Ibrahim Haçkaj arriti diçka më të vështirë: pushtoi zemrat e njerëzve që e njohën.